Në një konferencë për media, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se viti 2025 do të shpallet viti i diasporës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se nëse në vitin 1990 diktaturën e rrëzuan studentët, këtë vit sipas tij, do e rrëzojnë emigrantët shqiptarë nëpër botë.
“Zhvillimi i dytë madhor politik është deklarimi i vitit 2025 si viti i diasporës.
Pra, 2025-a do hyjë në historinë tonë kombëtare si viti i diasporës shqiptare.
Ju nuk keni qenë në takimet që kam pasur në Itali, në Greqi, por u garantoj që në jetën tuaj ju nuk keni parë, dhe imagjinata juaj nuk e rrok dot entuziazmin, shpërthimin e entuziazmit në këto takime.
Një shpërthim i jashtëzakonshëm, një shpërthim i paparë, një energji pozitive, një optimizëm që po të përdorim një term figurativ, vetëm sa nuk çante muret e sallës dhe të stadiumit.
Atëherë, nuk mund të mos shpallej viti 2025 si viti i diasporës, pasi i gjithë ky shpërthim eksploziv është një uragan fitoreje.
E theksova dje para mijëra e mijëra vetëve në atë stadium dhe e theksoj sot përsëri, në rast se revolucionin e viteve ’90 për përmbysjen e diktaturës, e udhëhoqën studentët liberatorë, tani çlirimtarët e vërtetë të Shqipërisë janë bijtë dhe bijat e saj që kanë mërguar për një jetesë tjetër, por që janë të vendosur të bëjnë gjithçka për të shpëtuar Shqipërinë nga narkodiktatura e Edi Ramës. Është një uragan i papërmbajtur.
E kam analizuar disa herë me vete këtë situatë, cila është baza e saj. Baza e saj është se ndodhitë dhe zhvillimet në Shqipëri janë më dramatiket, të cilat turpërojnë, lëndojnë çdo njeri të lirë dhe të ndershëm.
Diaspora që jeton në vende të lira ka një vendosmëri absolute për të shembur narkodiktaturën dhe unë u them ju se këta 200 e ca mijë që janë regjistruar, do të pasohen nga të paktën dhe 200 mijë të tjerë që do vërshojnë nga e gjithë Europa për të ardhur dhe ushtruar të drejtën e votës.
Është viti i diasporës. Është viti i revolucionit të diasporës.
Është viti i djemve, vajzave, burrave, grave të lira të diasporës që do vijnë të përmbysin diktaturën“, tha Berisha.