Mbrojtësi i kombëtares shqiptare Adrian Bajrami ka vendosur të largohet përfundimisht nga ekipi kuqezi, ndërsa ka zgjedhur që të mbajë veshur fanellën e Zvicrës. Ky vendim u mor pak orë më parë, ku 23-vjeçari braktisi grumbullimin e Shqipërisë.
3 herë është thirrur nga kombëtarja shqiptare e futbollit, madje dhe në këtë fazë kualifikuese drejt kupës së botës, po Adrian Bajrami, mbrojtësi 23-vjecar ka vendosur të largohet, duke zgjedhur Zvicrën. Vendimi është bërë publik pak orë më parë, ku vetë futbollisti dhe përfaqësues të tij kanë vënë në dijeni trajnerin Sylvinho dhe FSHF, se rrugëtimi i Bajramit, ka përfunduar, madje ende pa nisur. Lojtari është pjesë e Benfica në kampionatin portugez, por është huazuar këtë periudhë te Luzern në Zvicër. Kujtojmë që ai ka qenë pjesë e Zvicrës në ekipin U-18, më pas ju bashkua Shqipërisë, por duket se është penduar për zgjedhjen e bërë, duke u rikthyer te Zvicra.
Tekniku brazilian i kuqezinjve nuk humbi kohë, por menjëherë ndryshoi listën e ekipit, duke thirrur në vendin e tij Maldin Kacurrin. Të dëmtuar janë dhe dyshja Ramadani-Muçi, ndërsa u afruan në skuadër Enis Çokaj dhe Cristian Shpendi. Shqetësime raportohet të ketë pasur dhe Armando Broja, por nuk ka ende asgjë zyrtare për formën e sulmuesit të Burnley.
Shqipëria vijon përgatitjet në Malaga të Spanjës, ndërsa më 4 shtator përballet me Gjibraltarin dhe 5 ditë më pas me Letoninë në Tiranë.