Babai dhe djali i tij kanë pësuar djegie të rënda në trup mesditën e kësaj të shtune teksa furnizonin me gaz makinën e tyre në aksin Korçë-Bilisht. Ata kanë ndaluar në një nga karburantet e zonës dhe teksa furnizonin mjetin me gaz, kanë ndezur nga një cigare.
Ky veprim ka rezultuar fatal për ta pasi makina ka shpërthyer në flakë, duke lënduar babë e bir të cilët tashmë ndodhen në spital.
Grupi hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe menjëherë është kërkuar dhe ndihma e forcave zjarrfikëse, për shkak se makina është përfshirë e gjitha nga flakët. Punonjësit e dhe dëshmitarët e tjerë që ndodheshin në karburant kanë shpëtuar së pari dy të plagosurit dhe më pas e kanë hedhur mjetin në kanal.
Ndodhur në prag tragjedie, ata e kanë shtyrë makinën që ishte duke u djegur drejt një kanali për të mos lejuar që flakët të përhapeshin më tej në stacionin e gazit dhe në pompat e benzinës.
Babë e bir janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Korçës dhe raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë për jetën, në kujdesin e mjekëve, sepse kanë djegie të mëdha në trup. Nëse shëndeti i tyre nuk stabilizohet, pritet të dërgohen me helikopter drejt Tiranës.