Shoqata e Ndërtuesve ankohet për ndalimin e qarkullimit të mjeteve të tyre gjatë ditës.
Këtë janar, Bashkia e Tiranës vendosi të ndalojë betonierët nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes, por ndërtuesit ankohen se ky vendim po penalizon punën e tyre.
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, kërkon mirëkuptimin e Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për t’i hapur rrugë transportit të mjeteve të tyre.
Si argument, ata përdorin faktin se është e pamundur të punohet me betonin natën, në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal.
Madje, ndërtuesit shtojnë se procesi i punës në shumë raste zgjat deri në 12 orë dhe nuk mund të ndërpritet.
Betoni që transportohet, ka një orar teknikisht të caktuar brenda të cilit duhet të jetë i hedhur në vepër.
Mjetet e tonazhit të rëndë janë bërë problem për trafikun që krijohet në Tiranë, por edhe për zhurmat që shkaktojnë në dhjetëra kantierë të hapur.
Në fillim të janarit, bashkia e Tiranës vendosi të ndalojë qarkullimin e tyre brenda Unazës së Vogël nga ora 7 deri në 20.