Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë 1 person për ndërtimin e një objekti 2-katësh me mur guri në vendin e quajtur ‘’Quka e Ibrahim Osës’’, Bjeshkët e Pojanit, pa lejen e organeve përkatëse dhe në kundërshtim me ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Gjithashtu, AMP ka referuar në prokurori materialet proceduriale për punonjësin e policisë Meritan Mulaj, dhe punonjësin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, G. H., për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, pasi dyshohet se kanë qenë në dijeni të ndërtimit të paligjshëm dhe nuk kanë marrë masa.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për punonjësin e policisë M. M., me detyrë N/Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Tropojë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” si edhe për punonjësin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shtetasin G. H.
Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi E. B., banues në qytetin e Durrësit i dyshuar për veprën penale “Ndërtim i Paligjshëm” në Zonat e Mbrojtura.
Referimi i materialeve për punonjësit është kryer pasi me veprime dhe mosveprime kanë lejuar ndërtimin e një objekti dy katësh me mur guri në vendin e quajtur ‘’Quka e Ibrahim Osës’’, Bjeshkët e Pojanit, të Njësisë Administrative Tropojë, pa lejen e organeve përkatëse dhë në kundërshtim me ligjin për Zonat e Mbrojtura.