Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu këtë të hënë e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, Kryeinspektorja e IKMT-së Dallëndyshe Bici, Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj dhe përfaqësues të IMT-së dhe IKMT-së, inspektuan në Farkë aksionin për bllokimin e disa objekteve të ndërtuara në shkelje të lejes.
Pas inspektimeve në terren dhe atyre ajrore me dron, Policia e Shtetit në bashkëpunim me IMT-në dhe IKMT-në konstatuan shkelje që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Sipas saj, të gjitha masat po zbatohen mbi bazën e paketës së fundit ligjore, e cila forcon mekanizmat e kontrollit të territorit dhe sanksionet ndaj çdo abuzimi.
“Dua të theksoj që gjithë ky aksion vjen në vazhdën e paketës së masave ligjore të hyrë në fuqi në fillim të muajit tetor, të cilat kanë për synim të garantojnë e zbatojnë masa e sanksione konkrete. Këtu kam një thirrje për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të blejnë një pronë, që duhet të bëjnë shumë kujdes në verifikimin e statusit ligjor të saj dhe të lajmërojnë organet kompetente për çdo parregullsi apo situatë abuzive me pronën.
Ky është një aksion që do të vazhdojë deri ditën e fundit për të garantuar ligjshmërinë dhe për të mbrojtur gjithë territorin e vendit nga çdo lloj abuzimi me pronën publike,” theksoi ajo.
Sipas ministres, aksioni synon të vendosë rend dhe rregull në territor, të mbrojë pronën publike dhe të garantojë zhvillim të qëndrueshëm.
“Askush që ka një leje ndërtimi apo del përtej lejes së ndërtimit nuk do të lejohet të përfitojë asnjë metër katror më tej se leja e dhënë. Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që ndërtojnë apo shesin objekte që nuk do ta kenë të mundur të përfitojnë asnjë metër katror të zaptuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme,” shtoi Ministrja.



