Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) ka njoftuar një ndërprerje të përkohshme në furnizimin me ujë të pijshëm për dy zona të kryeqytetit, për shkak të punimeve në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit zyrtar, zonat e prekura janë “Kodra e Diellit” dhe “Komuna e Parisit”, ku furnizimi me ujë do të ndërpritet përkohësisht gjatë kohës që ekipet teknike po kryejnë ndërhyrje në sistem.
“UKT kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe ju siguron se ekipet tona janë në terren për të përfunduar punimet sa më shpejt,” thuhet në deklaratën e institucionit.
Ndërkohë, më herët UKT kishte publikuar edhe një tjetër thirrje publike, këtë herë në funksion të përmirësimit të procesit të matjes dhe faturimit të konsumit të ujit. Institucioni kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të siguruar akses të lirë në kasetat e ujëmatësve, sidomos në raste kur ato ndodhen në vende të mbyllura apo të vështira për t’u hapur.
“Çdo fund muaji, ekipet tona janë në terren për të kryer leximin e ujëmatësit. Bashkëpunimi juaj është i domosdoshëm që kolegët tanë të mund të realizojnë këtë proces pa pengesa dhe në kohë,” thekson UKT në apelin e saj.
UKT ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen, duke u zotuar për ndërhyrje efikase dhe një shërbim gjithnjë e më cilësor në kryeqytet.