Në shërbimin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u realizua një operacion me teknikë inovatore, ku përmes një rruge të re, endoskopike transorbitale, u arrit të hiqet plotësisht një tumor beninj i trurit. Ndërhyrja për heqjen e tumorit u realizua përmes syrit. Kjo teknikë inovatore redukton rrezikun për pacientin, krahasuar me operacionet klasike të trurit.
Operacioni u realizua nga ekipi i mjekëve: Prof. dr. Artur Xhumari, neurokirurg, shef shërbimi në QSUT, dr. Ermal Simaku, oftalmokirurg, QSUT, dr. Marjon Sako, kirurg maksilo-facial, SUT, dr. Maren Ruka, neurokirurg, QSUT, dr. Myfit Saraci, anestezist-reanimator, QSUNT, infermierët e sallës operatore: Refije Kadiu, Foti Çuro dhe Enriko Paluka, si dhe qarkullueset Manjola Pjetri, Elona Topuzi dhe Anxhela Gjoni.
Pacienti u shpreh se “kam pasur një shqetësim në kokë para disa kohësh, kisha një tumor mbrapa syrit të majtë dhe doktori vendosi të më operonte. Operacioni doli me sukses dhe jam shumë i kënaqur me punën që kanë bërë”.