Ndalohet përdorimi i telefonave nga nxënësit e mësuesit, hyn në fuqi udhëzimi: Do të dorëzohen në fillim të orës e do qëndrojnë të fikur deri në përfundim të mësimit

Me një udhëzim të ri të Ministrisë së Arsimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, ndalohet përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera të ndërlidhura prej nxënësve dhe mësuesve në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në vend.

Sipas këtij udhëzimi, nxënësit nuk do të lejohen të përdorin telefonin celular gjatë qëndrimit në ambientet e shkollës. Pajisjet do të dorëzohen në kutitë përkatëse në klasë në fillim të orëve dhe do të qëndrojnë të fikura ose në modalitetin “Airplane” deri në përfundim të mësimit.

Edhe mësuesit ndalohen të përdorin telefonin gjatë orëve të mësimit, përveç rasteve emergjente apo për arsye pedagogjike të miratuara nga drejtoria.

Udhëzimi përcakton se në rast shkeljeje, pajisja merret nga mësuesi dhe dorëzohet në drejtori. Prindi njoftohet menjëherë dhe paraqitet në shkollë për tërheqjen e pajisjes. Në rast përsëritjeje, parashikohen masa disiplinore si pjesëmarrja në aktivitete ndërgjegjësuese ose masa më të rënda për nxënësit e shkollave të mesme.

Prindërit kanë detyrimin të bashkëpunojnë me shkollën, të informohen për rregullat dhe të sigurojnë që fëmijët e tyre nuk i përdorin telefonat gjatë qëndrimit në shkollë.

Zbatimi i udhëzimit mbështetet në parimet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është pjesë e përpjekjeve për rritjen e disiplinës, përmirësimin e përqendrimit në mësim dhe forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë mes nxënësve dhe mësuesve.

Çfarë përcakton udhëzimi

NDALIMI I PËRDORIMIT TË TELEFONAVE CELULARË DHE PAJISJEVE TË NDËRLIDHURA ME TELEFONIN

Ndalohet përdorimi i telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të nga nxënësit gjatë procesit mësimor dhe gjatë qëndrimit në mjediset e institucionit arsimor parauniversitar.
Përdorimi i telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të gjatë orëve të mësimit është i ndaluar edhe për mësuesit, përveç rasteve emergjente, të përcaktuara në rregulloren e shkollës apo kur përdorimi lidhet drejtpërdrejt me nevoja të provuara pedagogjike ose organizative të procesit mësimor të lejuara nga drejtoria e shkollës.
Çdo pajisje e konstatuar apo përdorur në mënyrë të palejuar në ambientet e shkollës merret nga mësuesi dhe dorëzohet në drejtorinë e shkollës, deri në përfundim të orarit mësimor.
Përjashtimisht për nevoja urgjente nxënësit mund të komunikojnë me prindin apo personat që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore, vetëm me lejen e mësuesit kujdestar/drejtorit të shkollës. Drejtuesit e shkollës janë në dispozicion për të mundësuar komunikimin e ndërsjellë të nxënësit me prindin në çdo rast emergjent të parashikuar në rregulloren e shkollës.
PËRGJEGJËSITË E DREJTORISË SË SHKOLLËS

Drejtoria e institucionit arsimor parauniversitar (shkollës) ka për detyrë: a) të sigurojë në çdo klasë një kuti/sirtar për depozitimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të ndërlidhura me to, në rastet kur nxënësi i ka marrë ato në shkollë. Telefoni celular duhet të jetë i fikur ose në modalitetin “Airplane” dhe duhet të vendoset në kutinë e caktuar në klasë në nisje të procesit mësimor dhe deri në përfundim të tij; b) personeli mësimor është përgjegjës për zbatimin e rregullit në klasë sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e brendshme të shkollës; c) të përcaktojë në rregulloren e brendshme të shkollës, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtuesve të shkollës, mësuesve, oficerëve të sigurisë dhe shërbimit psikosocial, nxënësve, prindërve, të cilat lidhen me zbatimin e këtij udhëzimi; d) të sigurojë që ky rregull t’i komunikohet të gjithë nxënësve dhe prindit/ve ose personave që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore në fillim të vitit shkollor; e) të organizojë takime me prindërit, për t’i informuar mbi rregullat dhe rëndësinë e zbatimit të tyre. Prindi duhet të konfirmojë që është njohur dhe e pranon këtë rregull; f) të informojë sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme të shkollës, prindin apo personin që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit, përmes fletores së komunikimit digjital në Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë apo pajisjeve të ndërlidhura me to gjatë gjithë procesit mësimor; g) të raportojë periodikisht për zbatimin e këtij udhëzimi në zyrën vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP) për rezultatet e zbatimit të këtij udhëzimi dhe masat e marra.

ROLI DHE BASHKËPËRGJEGJËSIA E PRINDËRVE OSE E PERSONAVE QË USHTROJNË PËRGJEGJËSINË PRINDËRORE TË NXËNËSIT

Prindi apo personi që ushtron përgjegjësinë prindërore duhet të bashkëpunojë me shkollën për zbatimin e këtij udhëzimi, duke u angazhuar që nxënësi të mos marrë me vete apo të përdori telefonin celular apo pajisje të ndërlidhura me të, gjatë qëndrimit në shkollë.
Në rastin kur prindi ose personi që ushtron përgjegjësinë prindërore kërkon ta pajisë fëmijën me telefon celular në shkollë apo pajisje të ndërlidhura me të, duhet t’ia bëjë të ditur arsyen e pajisjes që në fillim të vitit shkollor drejtorisë së shkollës dhe duhet të angazhohet t’i bëjë të ditur fëmijës, se telefoni celular apo pajisja e ndërlidhur me të do të fiket apo vendoset ne modalitetin “Airplane” në kutinë/ sirtarin e përcaktuar në klasë/shkollë dhe nuk do të përdoren për asnjë rast gjatë procesit mësimor, përveç rasteve të parashikuara në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës dhe të përcaktuara në rregulloren e brendshme të saj.
PROCEDURA NË RAST SHKELJEJE

Drejtoria e institucionit arsimor parauniversitar, në rast shkeljeje të këtij udhëzimi, është e detyruar të njoftojë menjëherë prindin apo personin që ushtron përgjegjësinë prindërore, përmes Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP) dhe mjeteve të tjera të komunikimit shkollor. 2. Telefoni celular dhe pajisjet e ndërlidhura me të do t’i kthehen prindit apo personit që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit, pas orarit mësimor, në kohën kur prindi apo personi që ushtron përgjegjësinë prindërore paraqitet në shkollë dhe nxënësit i komunikohet me shkrim masa e marrë nga institucioni arsimor parauniversitar.
MASAT NË RAST TË SHKELJEVE

Në rast të shkeljes për herë të parë të këtij rregulli nga nxënësi, masa e marrë do të jetë “këshillim” që shoqërohet me shënim nga mësuesi kujdestar, i cili njofton me shkrim prindin dhe nëpërmjet përdorimit të fletores digjitale në SMIP. Ky njoftim përfshin edhe marrjen dhe dorëzimin e telefonit celular apo pajisjeve të ndërlidhura me të në drejtori. Prindi, pas njoftimit, paraqitet në shkollë për marrjen e telefonit celular dhe/ose të pajisjeve të ndërlidhura me të.
Në rast të përsëritjes së kësaj sjelljeje nga nxënësi i arsimit bazë, konsiderohet shkelje e përsëritur dhe ndaj tij merren masat si më poshtë: a) këshillim përmes Komisionit të Disiplinës së Shkollës në prani të nxënësit dhe prindit; b) pjesëmarrje e nxënësit në orë/aktivitete të posaçme edukative dhe këshilluese apo në aktivitete komunitare që lidhen me edukimin qytetar dhe digjital në bashkëpunim me klubet e shkollës, për të cilat informohet dhe prindi.
Në rast të përsëritjes së shkeljes nga nxënësi i arsimit të mesëm të lartë, lidhur me ndalimin e përdorimit të telefonit celular apo pajisjeve të ndërlidhura me të, do të konsiderohet shkelje e përsëritur dhe ndaj tij, merren në mënyrë të përshkallëzuar masa disiplinore të përcaktuara në rregulloren e brendshme të shkollës
Institucionet arsimore parauniversitare, në funksion të zbatimit efikas të këtij udhëzimi, krahas masave të përcaktuara në këtë krye, mund të shtojnë në rregulloren e tyre të brendshme edhe masa të tjera për nxënësit, me karakter ndërgjegjësues, sensibilizues dhe edukues.
/Monitor

Të Fundit