Është ndarë nga jeta shkrimtari i njohur shqiptar Bardhyl Londo.
Londo është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Lajmi i hidhur për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga miqtë dhe familjarët e tij.
Gjithashtu edhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka ndarë në rrjetet sociale lajmin e hidhur, ku shkruan:
“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 74-vjeçare të poetit Bardhyl Londo, një ndër emrat më të rëndësishëm të poezisë shqipe, ish-redaktor pranë gazetës “Drita”, ish-Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve deri më 1998. Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë organizuar nga QKLL-ja dhe Ministria e Kulturës më 2021, ai fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike”.
Bardhyl Londo lindi në vitin 1948 në Përmet. Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës.
Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”.
Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA).