Regjisori i njohur Leka Bungo është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare pas një infarkti në zemër. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale.
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë. Ai ishte një prej figurave më të spikatura të artit shqiptar, me një karrierë të pasur në teatër, film dhe televizion. Bungo përfundoi studimet për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas ndoqi një kurs regjie në Institutin e Lartë të Arteve.
Gjatë viteve krijuese, ai punoi si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më vonë në Estradën e Shtetit, ku solli shfaqje me tematikë sociale dhe nota të theksuara satire. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat” pranë Teatrit Kombëtar, një përpjekje për të sjellë risi në skenën shqiptare, që megjithatë nuk arriti të mbijetonte gjatë.
Në vitin 2002 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vazhdoi të qëndronte aktiv në botën e artit. Ai është autor i disa dramave dhe skenarëve filmikë, përfshirë “Pabesia” dhe “Pas fasadës”, si dhe është kujtuar për rolin e Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).