Aktori i njohur i skenës shqiptare, Naun Shundi, është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare pas një beteje të vështirë me kancerin e lëkurës.
Shundi u shkëput nga puna më 16 gusht, për t’iu nënshtruar një trajtimi të specializuar në Francë. Megjithatë, kostot e larta financiare detyruan familjen të kërkonte ndihmë. Më pas ai u rikthye në Shqipëri, ku vijoi mjekimin në QSUT, shpenzimet e të cilit u mbuluan nga Ministria e Shëndetësisë.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë publik nga faqja zyrtare e teatrit privat “Zonja e Bujtinës”, i themeluar prej tij dhe bashkëshortes, Raimonda Shundi. Vetëm pak ditë më parë, ky teatër shënoi 3-vjetorin e krijimit. Në një videomesazh drejtuar artdashësve me atë rast, regjisori dhe aktori theksoi rëndësinë e teatrit dhe veçanërisht të krijimeve shqiptare, duke nënvizuar vazhdimisht domosdoshmërinë e “të folurit shqip” në skenat teatrore të vendit.
Karriera e Naun Shundit është e lidhur ngushtë me skenën, ku ai ka lënë gjurmë si aktor dhe regjisor, duke u vlerësuar si një prej emrave që kontribuoi me pasion në zhvillimin e teatrit shqiptar.