Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ka folur për median italiane “SportItalia”, duke komentuar performancën e Kombëtares në grupin B1 të UEFA Nations League.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se grupi ishte i balancuar dhe i luftuar deri në sekondën e fundit, por Shqipëria nuk arriti atë që donte nga ky kompeticion.
Presidenti Duka foli edhe për lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali; Berat Gjimshiti, Kristjan Asllani, Cristian Shpendi, Medon Berisha, dhe evidentoi disa nga talentet e së ardhmes që luajnë në ekipet Kombëtare të moshave.
Performanca e Kombëtares në UEFA Nations League? – Nuk mund të them se arritëm atë që donim. Në fakt, ishte një grup vërtet i balancuar, shumë i luftuar dhe si në asnjë grup tjetër, të katër skuadrat ishin në garë deri në sekondën e fundit të ndeshjes së fundit për vendin e parë apo të fundit. Ukraina ashtu siç u dënua të eliminohej me pikë edhe pse kishte 4 pikë të barabarta me vendin e parë të grupit në finalet e Euro 2024, u shpërblye këtë herë në Nations League me një pikë më shumë në Tiranë. Fati nuk ishte në anën tonë në këto ndeshje të UEFA Nations League. Duhet theksuar gjithashtu se kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar në çdo ndeshje.
Cristian Shpendi? – Cristian ka luajtur me ekipin Kombëtar U-21, ka qenë protagonist në një ndeshje të fituar me përmbysje kundër Rumanisë në kualifikuese, por tani është rritur akoma më shumë. Është në vëmendje të trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, por në ndeshjet e tetorit ishte i dëmtuar. Unë gëzohem shumë kur Cristian bën gola, por kur ato i bën për Kombëtaren shqiptare lumturohem.
Berat Gjimshiti? – Nuk ka dyshim se trajneri i Atalantës, Gasperini, ka ndihmuar shumë në rritjen e kapitenit Gjimshiti. Do të shkoja aq larg sa të thosha se rasti i tij është për rekord nëse shikoni rritjen sportive që ai ka pasur. Kur mendoj për nivelin e tij 5 apo 6 sezone më parë, mund të them se është përmirësuar shumë dhe se ka fituar shumë pjekuri. E kundërta është si djalë (qesh), gjithmonë ka qenë i njëjtë: njeri i mrekullueshëm. Jam shumë i lumtur edhe për Atalantën. Ata po bëjnë një sezon të shkëlqyer në kampionat dhe në Europë, me Gjimshitin që është një nga liderët e padiskutueshëm të skuadrës së Bergamos.