Agjencia Hapësinore Amerikane, NASA, ka mahnitur botën duke publikuar fotografitë e para të realizuara nga astronautët e misionit Artemis II gjatë fluturimit të tyre historik pranë Hënës. Ky set imazhesh nis me një “perëndim të Tokës” (Earthset) spektakolar, ku planeti ynë shfaqet pas një peizazhi hënor të mbizotëruar nga krateret e shumta, duke ofruar një pamje që të lë pa frymë.
Ndonëse NASA nuk ka specifikuar se cili nga anëtarët e ekuipazhit i ka realizuar këto shkrepje ndërsa ata ndodhen në udhëtimin e kthimit, fotografia e “Earthset” sjell ndërmend imazhin ikonik “Earthrise” të vitit 1968, të kapur nga Bill Anders gjatë misionit Apollo 8. Kjo pamje e një planeti blu dhe të brishtë përballë errësirës së pafundme të gjithësisë vazhdon të konsiderohet si një nga dëshmitë më të fuqishme mjedisore në historinë e njerëzimit.
Gjatë një fluturimi gjashtëorësh në afërsi të sipërfaqes hënore, ekuipazhi përjetoi edhe momente izolimi total, përfshirë një periudhë heshtjeje radioje kur kapsula Orion ndodhej në anën e fshehtë të Hënës. Sipas njoftimit zyrtar, fotografia e parë u realizua përmes dritares së anijes të hënën në orën 18:41 sipas kohës lindore.
Në këtë imazh, pjesa e errët e Tokës është e zhytur në natë, ndërsa në anën e ndriçuar dallohen qartë re të dendura mbi rajonin e Australisë dhe Oqeanisë. Në plan të parë spikat krateri Ohm me skajet e tij të shkallëzuara dhe majën qendrore, një fenomen gjeologjik që formohet kur sipërfaqja hënore lëngëzohet nga impakti dhe ngrihet lart gjatë procesit të ftohjes.
Një tjetër moment kulminant i këtij udhëtimi ishte përjetimi i një eklipsi diellor të jashtëzakonshëm, ku Hëna mbulonte plotësisht Diellin. Ndryshe nga eklipset që shohim nga Toka, të cilat zgjasin vetëm pak minuta, afërsia e anijes Orion bëri që astronautët të shijonin rreth 54 minuta totalitet.
Në fotografitë e publikuara, kurora e Diellit shfaqet si një aureolë e ndritshme rreth skajit të zi të Hënës, ndërsa pika e ndritshme në anën e majtë të kuadrit është planeti Venus. Astronauti Victor Glover e përshkroi këtë përvojë si “joreale” dhe të ngjashme me skenat e filmave fantashkencë, duke vënë në dukje kontrastin e fortë mes Tokës jashtëzakonisht të ndritshme dhe Hënës që qëndronte pezull përpara tyre.
Përtej vlerës estetike, ky mision shënon një hap të rëndësishëm pasi është hera e parë në më shumë se pesë dekada që sytë e njeriut shohin drejtpërdrejt anën e largët të Hënës, që nga fundi i epokës Apollo në vitin 1972. Edhe pse teknologjia satelitore ka ofruar imazhe të shumta gjatë viteve, NASA theksoi se vëzhgimi me sy të lirë mbetet i paçmuar për shkencën.
Për këtë arsye, ekuipazhi ka regjistruar përshkrime të hollësishme audio të gjithçkaje që kanë parë, shënime të cilat do të analizohen me kujdes nga shkencëtarët për të nxjerrë informacione të reja. Dokumentimi mbyllet me një tjetër imazh të “Earthrise”, duke kapur momentin emocionues kur planeti ynë rishfaqet në horizontin e astronautëve pas daljes së tyre nga ana e errët e satelitit tonë natyror.






