NASA ka shpallur planet për të dërguar sërish astronautë drejt Hënës, për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh. Misioni “Artemis II”, që konsiderohet si një hap historik për eksplorimin hapësinor, pritet të zhvillohet jo më vonë se prilli i vitit 2026, ndërsa si datë e mundshme është përmendur edhe shkurti 2026.
Ky do të jetë udhëtimi i parë i ekuipazhuar përtej orbitës së ulët të Tokës që prej vitit 1972, kur u krye misioni i fundit “Apollo 17”. Artemis II do të zgjasë rreth 10 ditë dhe do të dërgojë katër astronautë në një udhëtim rreth Hënës dhe kthim në Tokë, pa zbritur në sipërfaqe.
Në ekuipazh do të jenë astronautët amerikanë Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch si dhe kanadezi Jeremy Hansen. Ata do të jenë pionierët e parë të një programi që synon jo vetëm rikthimin në Hënë, por edhe ndërtimin e një pranie afatgjatë në sipërfaqen e saj.
Drejtuesit e NASA-s theksuan se sistemi i fuqishëm i raketave Space Launch System (SLS) është tashmë gati, ndërsa kapsula e ekuipazhit Orion po i nënshtrohet testimeve përfundimtare.
Misioni i parë i programit, “Artemis I”, u krye në nëntor të vitit 2022 dhe zgjati 25 ditë pa ekuipazh, duke kaluar me sukses orbitën hënore, megjithëse pati sfida teknike gjatë rikthimit në atmosferën e Tokës.
Artemis II është një hap vendimtar drejt objektivit përfundimtar të NASA-s: dërgimi i astronautëve në sipërfaqen e Hënës dhe krijimi i një baze të qëndrueshme, e cila do të shërbejë edhe si trampolinë për misionet e ardhshme drejt Marsit.
Burimi: Reuters