Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në deklaratën për mediet sot në 24 mars, komentoi çmimin e naftës, që është rritur së fundmi, edhe për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Berisha tha se ngarkesa fiskale e qeverisë është një gjobë e tmerrshme, që rëndon mbi xhepat e qytetarëve. Kreu demokrat hodhi akuza, duke thënë se në Shqipëri hyjnë 350 mijë ton naftë kontrabandë.
“Nafta është shndërruar në instrument të tiranisë ndaj shqiptarëve, në instrument të çmimeve strastosferike, të çmimeve të paimagjinueshme. Çmimi i naftës në Shqipëri është 60 përqind më i lartë se në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Taksat që ka vendosur Rama ndaj çmimit të naftës rëndojnë xhepat e shqiptarëve. Ngarkesa fiskale është tepër e madhe mbi çmimin e naftës. Është një gjobë e tmerrshme që rëndon mbi qytetarët. Kontrabanda e naftës është një tjetër problem, 350 mijë ton kontrabandë hyjnë në Shqipëri. Nafta kontrabandë ka pushtuar tregun shqiptar. Gjitha paratë që fitohet nga kontrabanda shkojnë tek Rama.
Ai bashkëpunon me kompanitë e naftës, duke kontribuuar në çmime tepër të kripura. Çmimi i naftës ka në bazë taksa qeveritare shumë të larta, që është rreth 30 përqind më të larta se në vendet e BE-së, ka në bazë kontrabandën dhe taksa të tjera, të lidhura me magazina doganore, që rëndojnë xhepat e qytetarëve”, tha Berisha.
Kreu i PD-së dha edhe zgjidhjen për këtë situatë. Sipas tij, me PD-në në pushtet, çmimi i naftës në vendin tonë do të jetë sa në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, pasi taksat do të ulen në mënyrë të menjëhershme.
“Partia Demokratike ka një paketë për këtë problem madhor, që impakton ekonominë shqiptare. Ne kemi gati paketën për çmimin e naftës, duke vendosur taksa në nivel të barabartë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo do arrihet absolutisht kur Partia Demokratike të jetë në pushtet”, deklaroi Berisha.
Po ashtu, Berisha uroi ish-presidentin e Republikës Ilir Meta për ditëlindjen. Ai tha se Meta është i burgosuri kryesor politik në vend. Berisha bëri dhe një denoncim të fortë, duke thënë se Meta lihet pa ujë në burg.
“Sot përshëndes të gjithë të burgosurit politikë, që janë në burgje, vetëm pse protestuan kundër kësaj qeverie mafioze. Përshëndes të burgosurin kryesor politik dhe ai është Ilir Meta. I shpojnë ish-presidentit në qeli shishet e ujit, duke e lënë dhe pa ujë. Mund ta kuptoni vetë se çfarë shpirti të zi ka ky njeri që është në qeverisje sot, Edi Rama”, u shpreh Berisha.



