Ministri i Brendshëm francez Bruno Retailleau u shpreh i shqetësuar pas numrit të rrëmbimeve që synojnë sipërmarrës të suksesshëm dhe influencues në tregun e kriptomonedhave.
Që nga 15 dhjetori, Gign (forcat speciale të xhandarmërisë) kanë ndërhyrë në rreth dhjetë rrëmbime të këtij lloji.
Rasti i fundit dhe më i bujshëm ka të bëjë me David Balland, bashkëthemelues i kompanisë së kriptomonedhave Ledger dhe gruan e tij, të cilët u liruan të mërkurën e kaluar pasi u rrëmbyen një ditë më parë.
Lirimi i tyre u bë i mundur falë një operacioni të madh të forcave të rendit. Rrëmbyesit kishin kërkuar një shpërblim të madh, një pjesë e së cilës ishte paguar gjatë negociatave.
David Balland u rrëmbye mëngjesin e së martës nga vila e tij në Francën qendrore. Edhe gruaja e tij u mor peng nga rrëmbyesit.
Fillimisht, u përhapën thashethemet se Eric Larcheveque, një tjetër bashkëthemelues i Ledger dhe i njohur për pjesëmarrjen e tij në programin televiziv “Kush dëshiron të jetë partneri im” ishte rrëmbyer.
Ka qenë Larchevêque ai që ka ngritur alarmin, pasi ka marrë një video që tregon gishtin e gjymtuar të Balland, shoqëruar me një kërkesë për shpërblim.
Rrëmbyesit kishin kërkuar një “shpërblim të konsiderueshëm në kriptovaluta”, sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau.
Gjatë negociatave, “një pjesë e shpërblimit u pagua vërtet”, por “shumica e kriptomonedhave u kapën dhe u bllokuan”, shpjegoi Beccuau të shtunën, pa zbuluar shumën e saktë të shumës.
Lirimi i David Balland ndodhi falë ndërhyrjes së forcave të policisë në Châteauroux, ku mbahej i burgosur.
GIGN, i mobilizuar në terren, luajti një rol vendimtar në operacion. Menjëherë pas kësaj, dy të dyshuar u arrestuan, ndërsa Balland u shtrua në spital për shkak të gjymtimit që pësoi.
Gruaja u gjet në Étampes, Essonne, më shumë se 150 km larg shtëpisë së tyre, falë ekzaminimit të telefonave të tyre. Ajo ishte e lidhur në bagazhin e një makine.
Në total janë arrestuar dhjetë persona dhe janë lënë në paraburgim. “Një rrëmbim është gjithmonë jashtëzakonisht kompleks, sepse është një pengmarrje e vërtetë, e cila kërkon përdorimin e shumë aftësive: negocim, inteligjencë, ndërhyrje në terren,” shpjegoi gjeneralmajor Ghislain Réty, komandant i GIGN.
“Në këtë rast ishte edhe më e vështirë sepse pengjet mbaheshin në dy vende të veçanta. Kjo kërkonte një koordinim shumë të saktë të operacioneve”, tha ai.
Gjenerali shtoi se ai përdori mbështetje ajrore, inteligjencë kibernetike dhe hetime në terren.
“Prioriteti ynë ishte menaxhimi i krizës dhe negociatat, një mjet taktik thelbësor për të marrë prova të jetës, garanci për lirimin e pengjeve dhe, nëse është e nevojshme, rikuperimin e parave të paguara”, tha ai.
Rrëmbimi i Balland nuk është një rast i izoluar. Përveç konflikteve mes trafikantëve të drogës, objektivat e rinj janë sipërmarrësit, ndikuesit dhe milionerët në sektorin e kriptomonedhave. Kriminelët shpresojnë të mbledhin shpërblime në asete digjitale që më pas janë të vështira për t’u gjurmuar.