Partia Demokratike mbajti këtë të hënë një takim ku u bë edhe prezantimi i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se ky koalicion përfaqëson elitat politike dhe ka në përbërje sipas tij qendrestarë, patriotë dhe ekspertë të shquar, ndërsa sipas tij pala tjetër ofron biseda për hardhuca, bretkosa. Berisha gjithashtu komentoi një deklaratë të Ramës, i cili tha disa ditë më parë se e vetmja gjë madheshtore e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ishin mustaqet e Kujtim Gjuzit.
“Pala tjetër paraqet hardhucë, zhapik, bretkosa, zhaba, e tani së fundmi i kanë ngelur në gojë, ku je o Kujtim, jepja ato mustaqe. Ai çmendet pas mustaqeve të tua. Ne Kujtim e njohim atë nga ana psikologjike, ja di ti arsyet se pse e ka atë, por nuk është pjesë e kësaj mbledhje. Pra një njeri që ka qeverisur 12 vite dhe nuk u thotë dot shqiptarëve një arritje. Nuk i tregon dot sepse edhe ato arritje janë të nxira nga vjedhjet e tmerrshme”,-tha Berisha.