“Motra” e Adriatik Lapajt u bë deputete, reagon Endrit Shabani

Kleana Xhuveli, e cila ka marrë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës, ka sjellë dhe një reagim nga Endrit Shabani, bashkëthemeluesi i Lëvizjes “Nisma Thurje”.

Me një gjuhë kritike dhe ironike, Shabani ka akuzuar Adriatik Lapajn për manipulim të procesit dhe për përdorimin e politikave të vjetra në emër të një fryme të re. Ai thekson se Xhuveli është “motra” politike e Lapajt dhe se mandati i saj është rezultat i një lëvizjeje të qëllimshme.

Reagimi i plotë i Endrit Shabanit:

“Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!

Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.

Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.

Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!

Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.

Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.

Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.

Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat”, deklaron Endrit Shabani.

Të Fundit