Drejtësia spanjolle i ka dërguar shkresë autoriteteve shqiptare për zemrën e Saimir Sulës.
I riu humbi jetën në një spital spanjoll pasi u shtrua për Covid-19 dhe trupi i tij u tërhoq nga familjarët, por mungonte zemra. Spanja i ka dërguar një kërkesë Shqipërisë, ku kërkon informacion për mënyrën si do të tërheqë organin.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Barcelonës. Familja e të ndjerit ka kërkuar prej 3 vitesh të vërtetën për vdekjen e të riut, si dhe marrjen e zemrës së tij. Ishte motra e viktimës, e cila ka vënë në lëvizje autoritetet tona të drejtësisë, pas kryerjes së autopsisë që zbuloi se Sajmir Sulës i mungonte zemra.
Ngjarja ka ndodhur më 8 Maj 2020 rreth orës 23:00. Pandemia ishte në fazën fillestare. I riu shqiptar, Saimir Sula ka hyrë në Spitalin del Mar (Barcelonë) i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Ai kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test Covid, i cili doli negativ.
Tetëmbëdhjetë orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t’i thënë se vëllai i saj kishte vdekur. Vdekja e çuditshme u pasua nga një sërë misteresh që familja e viktimës ende nuk i ka sqaruar.
Në kallëzimin që ka bërë në Prokurorinë e Tiranës, e motra e Saimir Sulës pretendon se kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord. Por ajo kishte refuzuar pasi kishte konstatuar disa hematoma në trupin e të vëllait. Autoritetet spanjolle janë duke kryer hetime për ekipin mjekësor të spitalit, që i hoqi zemrën shqiptarit Saimir Sula.
Misteret dhe pikëpyetjet në lidhje me këtë çështje janë të mëdha, pasi nuk dihet ende pse të riut shqiptarë ju hoq zemra, për cilat arsye. Po ashtu, mjekësia ligjore nuk e ka përcaktuar shkakun e vdekjes në raportin që i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës, për shkak të mungesës së organit kryesorë zemrën. Familja e te riut kërkon drejtësi prej tre vitesh.