Motori ua preu ëndrrat në mes, kush janë dy të rinjtë që humbën jetën në Vlorë

Në foton që shihni janë dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht të dielën, më 1 qershor, pas një aksidenti me motor në vendin e quajtur Pusi i Mezinit në Vlorë.

Luan Llanaj dhe Tomorr Mbrati po ktheheshin të dielën nga puna në servis kur motori me të cilin udhëtonin doli nga rruga.

Këtë të hënë kanë qenë familjarë, miq dhe shokë të tyre të kanë vendosur buqeta me lule, qirinj dhe një çelës servisi pikërisht në vendin ku u aksidentuan dy të rinjtë.

Banorët e zonës i përshkruajnë të rinjtë si persona shumë të urtë, punëtorë dhe me familje të respektuara.

Në një intervistë, një nga fqinjët e tyre shprehet i shokuar nga kjo humbje e rëndë, duke theksuar se i njeh familjet e tyre dhe se njëri nga djemtë jetonte vetëm me nënën dhe punonte fort për të mbajtur familjen.

Nga informacionet e shkollës ku ndodheshin, ata ishin nxënës të mirë dhe punëtorë.

19-vjeçari ishte në vitin e katërt të shkollës dhe pritej të përfundonte këtë vit, ndërsa punonte edhe në servis ku kryente praktikën.

Të Fundit