Mosha mesatare ne Shqipëri ishte 44.3 vjeç në fund të vitit 2025, shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian, që është 44.9 vjeç.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë një ndryshim të fortë demografik për Shqipërinë, pasi vetëm një dekadë më parë, në vitin 2015, mosha mediane ishte 34.7 vjeç.
Kjo tregon se Shqipëria është plakur me 9.6 vite, dhe ky mbetet ritmi më i lartë i plakjes në kontinent, pesë herë më i shpejtë se mesatarja europiane prej 2.1 vitesh në të njëjtën periudhë.
Sot Shqipëria ka një moshë mesatare identike me atë të Çekisë dhe Lituanisë, vende që prej vitesh përballen me sfida të thella demografike.
Madje, vendi ynë rezulton më i plakur edhe se fqinjët e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Ekspertët paralajmërojnë se tkurrja e popullsisë në moshë pune do të sjellë më pak krah pune, më pak inovacion dhe presion në rritje mbi skemën e pensioneve dhe sistemin shëndetësor.
Kjo do të thotë se, nëse nuk ndërmerren politika për të frenuar emigracionin dhe për të nxitur lindshmërinë, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin e saj demografik dhe të përballet me vështirësi serioze për rritje ekonomike të qëndrueshme në vitet që vijnë.



