Pronari i një kompanie ku jepen makina me qira, Shkëlqim Balla tregoi në emisionin “Stop” sesi i vodhën një makinë tip “BMW” me vlerë 35 mijë Euro.
Më datë 23 Prill 2018 një djalë, i cili sipas patentës quhej Enis Dedaj, mori një makinë me qira me dokumente false, por konform rregullave të kompanisë.
“Unë me kursimet e jetës hapa një firmë me makina me qira. Në datën 23 Prill erdhi një klient me dokumente false, që nuk mund t’i njihja dot. Normalisht ne e mbajmë atë (kartën e identitetit), por në momentin kur mori kontratën, mori dhe kartën e identitetit, pavarësisht se ishte false. Kam mundur t’i marr patentën, një fotografi, ku shkruhej Enis Dedaj. Pasi e verifikova në rrugë dytësore, ky emër nuk ekzistonte, ishte false”, rrëfeu denoncuesi.
“Enis Dedaj” e kishte marrë makinën me qira për dy ditë, por nuk e ktheu më. Ndaj dhe Balla bëri kallëzim penal në polici, duke dorëzuar të gjitha provat që kishte.
Përmes shërbimit GPS, në datën 24 Prill Shkëlqimi ndoqi makinën, e cila rezultoi të ndodhej e parkuar në kishën e Shna Ndout në Laç.
“U paraqita te rajoni i policisë në Laç dhe i thashë që e kam makinën te kisha. Kur shkuam atje ishte greminë dhe nuk kishte rrugë. Aty e kuptuam që GPS ishte çmontuar”, shtoi ai.
Sipas shërbimit të GPS, kjo e fundit është çmontuar në një pikë këmbimi në dalje të Laçit dhe në hyrje të Mamurrasit.
Shkëlqim Balla në mënyrë private mundi ta identifikojë personin që i ka grabitur makinën, por nuk mund të bëjë asgjë, pasi nuk është i sigurt 100 për qind. Ai tregoi se ia ka dorëzuar policisë të gjitha materialet që ka hetuar vetë, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë as nga autori i grabitjes dhe as nga zbardhja e ngjarjes.
Biznesmeni e pëmbylli duke thënë: “Kjo është punë e policisë, nuk është punë private, prandaj paguajmë dhe taksat”.