Policia angleze ka vendosur në pranga një shqiptar pasi u kap në një fermë kanabisi në Leicester. Oficerët e policisë trokitën në derën e ndërtesës ku kultivohej kanabisi, por nuk e hapi njeri. Më pas kontrolluan kutinë postare dhe rastësisht panë një vrimë në perde nga e cila dilnin dritat e fermës në të cilët kultivohej kanabisi.
Pas rreth pesë minutash dera është hapur nga shqiptari Kushtrim Sinani i cili është vendosur menjëherë në pranga. Por para se të hapte derën shqiptari Sinani hodhi telefonin në tualet në mënyrë që policia të mos zbulonte lidhjet e tij. Shqiptari nuk rezultonte të ishte i dënuar më parë ndërsa kërkoi ndjesë përpara gjykatës dhe deklaroi se ishte i penduar që ishte përfshirë në kultivimin e kanabisit.
“Ai vjen nga një familje e varfër dhe i di pasojat, që lidhen me deportimin e tij në Shqipëri, ku më parë ai kishte punuar në minierë dhe nuk ia dilte dot të ndihmonte prindërit e moshuar nga të ardhurat që merrte. Ai ka edhe një vëlla invalid, i cili humbi njërën këmbë gjatë një aksidenti në minierë. I pandehuri erdhi në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht, në pjesën e pasme të një kamioni pasi kishte marrë borxh për të hyrë në Angli. Ai u detyrua të punojë në fermën e kanabisit dhe nuk kishte zgjidhje tjetër për shkak të borxhit”, u shpreh Islam Khan, një nga ekspertët mbi azilkërkuesit, trafikun e drogës në gjykatën e Liecesterit, i cili shpjegoi situatën e shqiptarit. Kushtrim Sinani u dënua me 27 muaj burg, shkruajnë mediat angleze.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së barit, policia gjeti rreth 21 rrënjë në dhomën e pritjes dhe 19 të tjera në dhomën e gjumit përpara, 65 në papafingo dhe 23 rrënjë të tjera gati për t’u kultivuar. Nëse droga do të hidhej në treg do të kapte një vlerë prej 90, mijë paundësh.