“Montuan video sikur po puthesha me Namik Doklen”, Pjerin Ndreu flet për sulmet në TikTok: Ja ku dyshoj

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar ashpër ndaj një fushate denigruese kundër tij në rrjetin social TikTok, ku janë publikuar video montazh, ku ai shfaqet në mënyrë të manipuluar me figura të njohura publike.

Ndreu denoncoi publikisht përmbajtjen ofenduese dhe të pavërtetë që, sipas tij, ka pasur synim dëmtimin e figurës së tij, duke përfshirë edhe qytetare nga Lezha në këto manipulime.

“Ishin video montazh ku unë shfaqesha sikur puthesha me Namik Doklen e disa të tjerë. Kishin përfshirë edhe gra nga Lezha. E kisha identifikuar këtë faqe në TikTok prej një viti. Pas denoncimit në polici, ajo u mbyll,” – u shpreh Ndreu.

Kreu i Bashkisë ngriti dyshime se pas këtyre akteve mund të fshihen motive politike, duke lënë të nënkuptohet se kjo është një përpjekje për ta goditur në vigjilje të zhvillimeve të rëndësishme politike. “Jam i sigurt që jam në dy versione, A dhe B. Njëri është për arsye politike, tjetri jo. Jemi në fazë dyshimesh, por ndonjëherë nuk më ka gënjyer intuita,” – tha ai.

Ndreu deklaroi gjithashtu se ka angazhuar edhe miqtë e tij për të identifikuar autorët e kësaj fushate, ndërsa shprehu indinjatën për nivelin e ulët të gjuhës dhe përmbajtjes së përdorur.

Të Fundit