Një skandal i pazakontë ka tronditur spitalin Tameside në Manchester, Britani e Madhe, ku një mjek anestezist u kap duke kryer marrëdhënie seksuale me një infermiere në sallën ngjitur, ndërsa një pacient që po i nënshtrohej një operacioni të programuar ishte lënë në gjumë pa mbikëqyrje.
Ngjarja u zbulua nga një koleg tjetër i cili i gjeti në momente të ‘nxehta’ në një sallë tjetër, duke sjellë reagime të ashpra nga stafi dhe autoritetet shëndetësore.
Mjeku 44-vjeçar Suhail Anjum ka pranuar fajësinë për sjelljen e tij, duke e përshkruar atë si një “moment të vështirë personal” dhe një gabim të rëndë, por ka theksuar se nuk ka pasur ndikim në shëndetin e pacientit.
Ai ka deklaruar se ndihej shumë i stresuar dhe kishte nevojë për të qetësuar tensionin, por kjo mbrojtje nuk është pranuar nga rregullatorët, të cilët e konsiderojnë këtë veprim si një shkelje serioze të etikës dhe përgjegjësisë profesionale.
Tani mjeku po përballet me procedura disiplinore para Shërbimit të Tribunalit të Mjekëve, ku rrezikon të skualifikohet dhe të humbasë të drejtën për të punuar në profesionin e tij.
Ngjarja ngre shqetësime serioze për sigurinë e pacientëve dhe standartet e kujdesit në spitalet britanike, duke nxitur kërkesa për kontrolle më të rrepta dhe masa ndëshkuese më të forta ndaj sjelljeve të papranueshme në sektorin shëndetësor./The Telegraph