Mjeku Edvin Prifti akuzohet se mori para për 7 ndërhyrje në zemër: GJKKO i kthen sërish SPAK-ut dosjen për ish shefin e kirurgjisë në QSUT

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion i jep dhe dy muaj kohë SPAK të plotësojë hetimet për mjekun Edvin Prifti, duke kthyer kështu dosjen për herë të dytë.

Gjyqtarja e çështjes Elsa Ulliri në seancën e sotme (4 shkurt) i kërkoi prokurorit Sotir Kllapi të rikryejë aktin e ekspertimit financiar, teksa seanca e radhës u caktua në datë 7 prill.

Më 13 shkurt të 2024, SPAK mbylli hetimet dhe bëri kërkesë në GJKKO për kalimin e dosjes për gjykim ndaj Edvin Priftit, për të cilin janë ngritur 4 akuza, “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “pastrim parash”.

Prokurorisë së Posaçme iu deshen 4 vite hetime për të kopsitur dosjen për ish shefin e Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Sipas organit akuzues, Prifti mori para për 7 ndërhyrje në zemër pranë QSUT. Gjithashtu iu sekuestruan 1.1 mln euro, 256 mijë € ishin cash në banesë e zyrë.

Të Fundit