Mjeku Ilir Alimehmeti është shprehur se sot në Shqipëri nuk ka teste të shpejta në farmaci për Covid 19.
Komentet Alimehmeti i bëri gjatë një interviste për media, ku tha se testet e shpejta janë të nevojshme për të ruajtur familjarët, kolegët dhe komunitetin pranë nesh.
Ai tha gjithashtu se se në Shqipëri ende nuk ka një laborator që teston ujërat e zeza, për të parë situatën virologjike sesi po evoluon rreth 2 javë para. Sipas Alimehmetit, ky laborator ka një kosto shumë të ulët dhe megjithatë në Shqipëri nuk ekziston.
“Ka sot teste të shpejta për Covid në farmaci? Jemi në korrik të 2024, 4 vite pas pandemisë. Teste të shpejta në farmaci për t’i blerë sot nuk ka. Pse nuk ka? Besoj e kuptoni shumë qartë pse nuk ka. Pse na duheshin? Na duheshin që njerëzit të testoheshin sa më shpejtë dhe të ruanin familjarët, kolegët, etj.
E dyta, diçka shumë e rëndësishme është testimi i ujërave të zeza. Ne shkojmë marrim kampionë të ujërave të zeza dhe kuptojmë shëndetin e komunitetit në një lagje, qytezë, qytet, etj, edhe pse aty mendojmë se janë njerëz të shëndetshëm, në mënyrë të vazhdueshme ti mund të gjesh sesi po evoluan situata virale. E para është shumë e lehtë për t’u bërë dhe e dyta është shumë e lirë për t’u bërë.
Kostoja për të pasur një laborator të këtij tipi është shumë e ulët dhe vazhdon nuk ekziston në Shqipëri. Pse na duhet? Sepse mund të na japë me 2 javë paralajmërim që jemi duke shkuar drejt një situate që mund të kemi nevojë të angazhohemi. 2 javë janë goxha, sepse mund të mobilizojmë burime njerëzore, burime financiare, etj”, tha Alimehmeti.