Një avion anglez i llojit “street fighter”, i rënë në ujërat e liqenit të Pogradecit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është vetëm një ndër potencialet e mëdha për të zhvilluar turizmin e zhytjes në këtë liqen.
Sipas zhytësit profesionist Gentian Olldashi, pjesë të tij janë ende aty, por kanë nevojë për pastrim në mënyrë që të jenë të vizitueshme për të apasionuarit, ndërsa për drejtorin e turizmit Ledjan Zeqollari, ky avion dhe shumë pjesë të tjera të liqenit janë një mundësi shumë e mirë për turizmin ujor.
“Avioni dihej. Kam vajtur para 15 vjetësh me babanë dhe e kam parë. Pa bombola, ndërsa tani kemi shkuar dhe e kemi filmuar me sy të lirë. Duket motori, pjesa e mitralozit që gjuan, një pjesë e krahut dhe pjesë të tjera. Nuk është pastruar asnjëherë, se nëse pastrohet do dalë më i bukur. Ka pasur tentativa për t’i marrë pjesën e motorit, por unë nuk i lejova. Është shumë interesante të bëhet një qendër zhytjeje, ka kërkesa, por deri tani nuk është e mundur”, është shprehur zhytësi Genti Olldashi.
Ndërsa zhytësi Ledjan Zeqollari është shprehur se ka mjaft objekte që janë gjetur edhe nga Lufta e Parë Botërore.
“Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore ka mjaft objekte që gjenden nën ujë, ndërsa në Luftën e Dytë është një avion anglez “street fighter” që gjendet në afërsi të molit të qytetit. Të gjitha këto përbëjnë atraksione sa i përket turizmit nënujor dhe mund të jetë një nga destinacionet kryesore sa i përket këtij lloj turizmi. Bota ujore e Pogradecit është zbuluar shumë pak dhe pjesa më e madhe e saj gjendet nën ujë”, është shprehur ai.
Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, avionët anglezë nuk bënin vetëm patrullim, por sipas peshkatarëve të vjetër të Pogradecit, njëri prej tyre merrte peshk koran që ia dërgonte mbretëreshës së Anglisë, një lloj legjende kjo që ka qarkulluar, por që peshkatarët konfirmojnë vërtetësinë e saj.
“Është e vërtetë, vinte avioni që nga Anglia dhe qëndronte në Ohër, aty merrte koran, sepse këtë specie dy liqene e kanë në botë, këtu dhe në Rusi. Korani shkonte edhe në hotele në Korçë, nuk e linte Korça, merrte Elbasani, Tirana, Durrësi, vinin kastile makinat këtu për të marrë koran”, është shprehur peshkatari Petrit Merko.
Për Ermal Kuqon, zhytës profesionist, zhytja në liqenin e Pogradecit është tërësisht e mundur, madje ai shkon më tej kur thotë se është më e lehtë sesa në det, pasi ky i fundit ka më shumë presion se uji i ëmbël.
“Gjërat që mund të shikosh në liqen janë të pafundme. Sa herë zhytesh, shikon diçka të re, asnjëherë të njëjtën gjë. Në qoftë se je trajnuar dhe di rregullat e zhytjes, nuk është e vështirë, por gjithçka është e lidhur me pasionin. Njerëzit më parë thonin që nuk mund të zhytesh dot shumë, se të del gjak nga veshët, ka shumë trysni uji, nuk është e vërtetë. Unë e kam filluar zhytjen në det dhe uji i detit ka më shumë trysni se liqeni”, është shprehur Ermali.
Duket se misteri dhe historia miliona vjeçare e liqenit të Ohrit është ende nën ujë. Deri më tani janë arritur të zbulohen vetëm dy vendbanime palafitesh, më i vjetri në anën shqiptare prej 8100 vitesh, ndërsa ekspertët pritet të nisin të tjera kërkime për të paktën edhe dy vendbanime të tjera.



