Mirësjellja juaj me ChatGPT po i kushton kompanisë miliona dollarë

Në një botë ku inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme në jetën tonë, ndoshta është koha të rishikojmë zakonet tona të përditshme, madje edhe ato më të voglat, si mirësjellja ndaj chatbot-ëve.

CEO i OpenAI, Sam Altman, në një postim në rrjetin X, pranoi se përdorimi i fjalëve si “të lutem” dhe “faleminderit” ndaj chatbot-it ChatGPT kushton dhjetëra miliona dollarë në vit. Këto fjalë të vogla, që duken të pafajshme, përkthehen në qindra mijëra kërkesa që konsumojnë energji të madhe në servera. Sipas Altman, këto janë “dhjetëra miliona dollarë të shpenzuar”.

Por disa ekspertë mendojnë se duhet të reflektojmë më thellë. Dizajnuesi i Microsoft-it, Kurtis Beavers, thotë se gjuha e sjellshme nxit përgjigje më bashkëpunuese nga AI. “Mirësjellja ndihmon që përgjigjet të jenë më respektuese dhe më të qarta”, u shpreh ai. Edhe një raport nga WorkLab i Microsoft thekson se AI reflekton profesionalizmin dhe qartësinë që merr nga përdoruesit.

Megjithatë, mirësjellja ka një kosto reale. Një hetim nga Washington Post dhe Universiteti i Kalifornisë zbuloi se për të gjeneruar një e-mail 100-fjalësh përmes inteligjencës artificiale nevojiten rreth 14 kilovat-orë energji – mjaftueshëm për të ndezur 14 llamba LED për një orë. Me miliona kërkesa të tilla çdo ditë, ndikimi në mjedis bëhet shqetësues.

Një anketë e vitit 2024 zbuloi se 67% e përdoruesve amerikanë janë të sjellshëm me chatbot-ët dhe 12% e bëjnë këtë nga frika e një revolte të mundshme të inteligjencës artificiale.

Ironikisht, në përpjekje për të qenë të sjellshëm me makinat, mund të jemi duke dëmtuar më shumë planetin. Ndoshta është koha të kursejmë ndonjë “faleminderit”, për hir të Tokës.

Të Fundit