Po bëhet thuajse një muaj që kur u nda nga jeta politikani i njohur Gerti Bogdani. Ish-deputeti demokrat la një dhimbje të madhe pas për familjen, miqtë e të gjithë ata që e kishin njohur nga afër.
Bashkëshortja e tij, aktivistja Edlira Çepani ka vendosur të shkruajë ca rreshta këtë të Premte, për humbjen e madhe, por edhe për të falënderuar të gjithë ata që morën pjesë në homazhe dhe e mbështetën. Mirënjohëse është edhe ndaj mediave, të gjithë atyre që e nderuan kujtimin e tij në institucionet brenda e jashtë vendit dhe qytetarëve që i kanë shkruar dhjetëra mijëra mesazhe ngushëllimi.
“Kam nisur qindra herë të shkruaj dy fjalë, por s’kam patur forcë as në duar e as në zemër… Prej kaq shumë ditësh, kam në zemër një fjalë që dua t’ua them të gjithëve: Faleminderit për mbështetjen e pakufijtë në këto kohë të vështira për familjen tonë. Faleminderit për mijëra përqafimet me të cilat na shprehët mbështetjen dhe respektin për Gertin, gjatë homazheve të pafundme në Parlamentin shqiptar. Faleminderit të gjithë miqve, kolegëve, qytetarëve dhe mbështetësbe që erdhët në kohë rekord nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe shumë vende të botës, për të na mbështetur në ditën tonë më të vështrë. Faleminderit që pritët me orë të tëra në radhët e gjata të homazheve për të respektuar Gertin tonë e për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Faleminderit nga zemra të gjithë kolegëve nga institucionet në Shqipëri, Kosovë, Belgjikë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nderimet me 1 minutë heshtje në mbledhjet e para pas ndarjes nga jeta të Gertit dhe për telegramet zyrtare për nderimin e tij. Faleminderit të gjithë miqve të mediave për emisionet, fjalët e transmetimet maratonë. Faleminderit të gjitheve për dhjetëra mijëra mesazhet (të cilave premtoj se do u kthej përgjigje të gjithave, pak nga pak) përmes së cilave ndatë pak nga dhimbja jonë dhe na përçuat histori të vogla të jetës së Gertit në mënyrën si e kishit njohur. Sa më shumë njerëz takojmë këto ditë, aq më shumë kuptojmë se sa shumë njerëz ka impaktuar në jetën e tij tejet të shkurtër, por të mbushur me dashuri për njerëzit e me modesti për gjithçka bënte. Sa më shumë kalojnë ditët nga ikja jote Gert, dhimbja duket se rritet në këtë realitet të ri, pa ty fizikisht mes nesh…por dashuria dhe mbështetja e pafund njerëzve që të kanë dashur ty, është një mbështetje e madhe për ne!”, shprehet Çepani.
Shkrimin e mbyll me fjalët më prekëse për bashkëshortin e ndjerë.
“Ti e jetove jetën, me fuqinë e vlerave. Luftove gjithë jetën për të dhënë një model ndryshe, mes miqve, në familje, kudo. Ti luftove gjithë jetën me një këmbëngulje të rrallë për ta bërë punën tënde, në shërbim të njerëzve. Luftove gjithë jetën për të treguar se vlerat duhet të mbizotërojnë dhe atëherë kur duket e pamundur. Ti e fitove betejën tënde! Mirësia jote i bashkoi njerëzit!
Ti fitove, ashtu siç bëje gjithmonë në jetë, e kësaj radhe na e kujtove të gjithëve se, edhe në këtë botë që po bëhet çdo ditë e më e vështirë, ia vlen të jetosh me vlera, me integritet, me dinjitet, me fisnikëri, me besim, me mirësi dhe me dashuri për njerëzit! Faleminderit që ishe një dritë në rrugën e kaq shumë njerëzve e që do të jesh gjithmonë një dritë në rrugën tonë, jeta ime!”
Bogdani u nda nga jeta në moshën 44 vjeçare për shkak të një arresti kardiak.