Kryeministri Edi Rama si dhe ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj, ndodhen këtë të premte, më 12 dhjetor, në një takim me të rinj të punësuar nga programet e nxitjes së punësimit, konkretisht përmes portalit puna.gov.al.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj foli pak për buxhetin e vitit 2026 të miratuar ditën e djeshme në seancën maratonë të zhvilluar në Kuven
Ibrahimaj tha se ndonëse në këtë buxhet janë përqendruar më shumë në dy kategoritë e tjera siç janë pensionistët dhe të punësuarit, nuk kanë harruar të mbështesin të rinjtë dhe tha se kësaj kategorie i janë dedikuar 12 milionë euro.
“Vendosëm që sot ta bëjmë këtë takim sepse po diskutojmë për buxhetin 2026, që na çon drejt objektivave që i kemi vënë vetes për vitin 2030.
Dua të ndalem pak tek buxheti për vitin 2026. Vërtet ne jemi përqendruar tek dy kategoritë e tjera, tek pensionet për pensionistët dhe tek pagat, të ardhurat e atyre që tashmë janë në punë dhe si ato janë rritur dhe si ne synojmë t’i arrijmë, por shumë pak kemi folur për çfarë ne shohim dhe duam të bëjmë për të rinjtë dhe prandaj jemi mbledhur sot këtu me të rinj që kanë bashkëpunuar me ne për t’u aftësuar, punësuar dhe vetëpunësuar.
Në buxhetin 2026 kemi dyfishim të fondeve për të gjitha programet e punësimit dhe aftësimit të të rinjve. Janë 12 milionë euro në dispozicion të të rinjve sepse vërtet besojmë se duhet të mbështesim pensionistët që kanë kontribuuar për këtë vend, të punësuarit që rrisin të ardhurat e buxhetit, por nëse nuk investojmë tek të rinjtë ndalon i gjithë ky zhvillim.”, tha Ibrahimaj.
Për këtë arsye ministrja Ibrahimaj tha se janë ndalur tek programet e nxitjes së punësimit, në veçanti tek programi i kodimit.
Të gjitha njoftimet e punës në portalin puna.gov.al
Ministrja Ibrahimaj shtoi gjithashtu se duke nisur nga data 1 janar, puna.gov.al “do jetë portali i vetëm unik ku do të shpallen të gjitha njoftimet e vendeve të punës të administratës publike, me qëllim që të gjithë të jenë të informuar dhe ta kenë më të thjeshtë që të aplikojnë në vendet e punës, që janë të lira në administratë publike, jo vetëm ato që janë të lidhura me shërbimin civil por të gjithë entet e të gjithë shoqëritë shetërore, pra e gjithë paketa e vendeve të punës do të jetë në portalin puna.gov.al”.



