Albana Koçiu, e cila u propozua nga Kryeministri Edi Rama për të qenë ministrja e parë grua e Punëve të Brendshme në Republikën e Shqipërisë, ka reaguar sot me një status në rrjetet sociale.
Koçiu ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për besimin në drejtimin e Ministrisë së Brendshme në mandatin e katërt qeverisës të Partisë Socialiste.
“Me përgjegjësinë dhe privilegjin e drejtimit të Punëve të Brendshme, në qeverinë e Kryeministrit Edi Rama, në mandatin e IV. Një sfidë e re në mandatin historik të vendit, drejt anëtarësimit në BE,” shkruan Koçiu.
Ajo ripostoi statusin e Ramës me fotot e ministrave të rinj, ndërsa në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së PS-së, Rama vlerësoi se Koçiu ka një karrierë të gjatë në administratë.
Kryeministri shtoi se Koçiu, me 10 vite në drejtimin e Administratës Publike dhe në krye të MSHMS-së, ka dëshmuar jo vetëm ambicie dhe këmbëngulje, por edhe një kapacitet të veçantë motivues ndaj njerëzve.
Albana Koçiu është lindur në Tiranë, më 10 korrik 1977. Prej shtatorit 2023, ajo ka mbajtur postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Para kësaj detyre, Koçiu ka qenë Drejtore e Departamentit të Administratës Publike që nga viti 2013.