Ministrja e Financave: Brenda vitit 2023, të gjitha dokumentet shtetërore do të jenë dixhitale

Tashmë të gjitha sportelet e institucioneve janë të mbyllura dhe qytetarët duhet të kërkojnë shërbimet që iu nevojiten nëpërmjet platformës dixhitale E-Albania.

E ftuar këtë pasdite në “Rudina” në Tv Klan, ministrja e Financave, Delina  Ibrahimaj shpjegon se fillimisht çdo qytetar apo biznes duhet të ketë një llogari në E-Albania për të marrë shërbimin. Ministrja informon se nuk do të mbyllen të gjitha sportelet, disa prej tyre do të jenë hapur për t’i ofruar asistencë qytetarëve për pyetjet që mund të kenë. Gjithashtu, lidhur me dokumentet që është e nevojshme të jenë origjinale, Ibrahimaj shprehet se po punohet që kërkesa për to të jetë sa më minimale.

Ministrja thekson se po punohet që brenda vitit 2023 dokumentet  shtetërore të jenë dixhitale.

Delina Ibrahimaj: Të gjithë insititucionet, përfshirë  Bashkëqeverisjen që është tashmë institucion kryesor ku të gjithë qytetarët i drejtohen administratës publike për çfarëdolloj problematike që ato mund të kenë, do të jenë në dispozicion me qëllim konsultimin e çdo individi apo biznesi që ka nevojë për konsulencë.

Rudina Magjistari: Pra, janë sportele që nuk mbyllen ndonjëherë?

Delina Ibrahimaj: Këto janë sportele që nuk mbyllen. Janë sportele në telefon. Ndërkohë që janë 2.5 milionë qytetarë apo biznese që kanë tashmë një llogari në E-Albania dhe  janë më shumë se 2000 aplikime që bëhen në ditë me qëllim marrjen e shërbimeve. Ky numër sigurisht do rritet me mbylljen e sporteleve por edhe shpejtësia e shërbimit do të rritet. Sigurisht që nuk duhet të harrojmë asnjëherë eliminimin e kontaktit të administratës me qytetarët me qëllim reduktimin e fenomenit të korrupsionit që është një ndër problematikat që ne synojmë të luftojmë me këtë reformë.

Rudina Magjistari: Po në rastet kur kërkojnë dokument origjinal të cilin nuk e merr dot as të printuar, as fotokopje, nuk të bën punë, pra të duhet dokumenti origjinal që ti e merr dhe e ruan si shumë të shenjtë sepse nuk ka më të dytë. Në këto raste, si operojmë?

Delina Ibrahimaj: Ka disa sportele që do të qëndrojnë të hapura në këto raste megjithatë do vazhdojmë punën në drejtim të eliminimit të kërkesave për dokumente origjinale. Kjo është arsyeja pse jo 100% e sporteleve do të mbyllen për çdo institucion, do të mbyllen shumicat e tyre por për ato dokumente që duhen origjinale do të vijojë të ketë një minimum. Brenda vitit 2023 synojmë që të gjitha platformat, e gjithë qeveria të funksionojë pa letra dhe i gjithë dokumentacioni të jetë dixhital. Është një punë e madhe që po bëhet dhe do bërë shkallë-shkallë ne jemi sot në këtë hap pasi kemi marrë këtë nismë, pasi jemi të sigurtë që ato shërbime që tashmë janë online, të mund të ofrohen pa pasur nevojë për sportele.

Lidhur me ndonjë vonesë të sistemit, ministrja sugjeron që mund të pritet pak minuta përpara se të provohet sërish ndërsa siguron qytetarët se nuk do të ketë rënie të tij./tvklan.al

Të Fundit