Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Lajmi u bë i ditur gjatë seancës së procesit në themel për dosjen “Buka”, ku gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjet e zyrës së Interpol Tiranës.
Ahmetaj akuzohet në këtë dosje për shpërdorim detyre me dëme ekonomike që arrijnë 7 miliardë lekë. Seanca po vazhdon në mungesë të ish-nr. 2 të qeverisë.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, bëri të ditur se për klientin e tij nuk ka asnjë masë sigurie në këtë çështje dhe se masa e propozuar lidhet me një procedim tjetër.
Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, lexoi kërkesën për gjykim, ndërsa palët nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë paraprake. Më tej, prokurori kërkon të pyeten si dëshmitar 14 persona, ndër to edhe ish-ministri Shkëlqim Cani.



