Ministri serb: Nëse duam të futemi me forcë në Kosovë, nuk na duhet ndihma e Rusisë por…

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka bërë një deklaratë provokative lidhur me Kosovën. Mediat vendase shkruajnë se Vulin ka thënë se Serbia nuk po përgatit paramilitar për të hyrë në Kosovë, pasi nëse do të dëshironte të hynte me forcë mund ta bënte pa ndihmën e të huajve por vetëm me serbët e lindur aty.  

“Nëse Serbia dëshiron të kthehet me forcë në veri dhe në jug të Kosovës, nuk do të kishte nevojë për rusët apo ndonjë të huaj tjetër, mjaftojnë serbët e lindur në Kosovë. Shqiptarët u bindën për këtë kur dërguan forca speciale në veri të Kosovës dhe të frikësuarit i tërhoqën sërish”, tha Vulin.

Kjo deklaratë e ministrit serb vjen një ditë pas reagimit të ish-komandantit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, i cili tha se kishte informacione se serbët po përgatiteshin për të hyrë në Kosovë.

Por edhe pse këto deklarata rrisin tensionet mes dy vendeve, Presidenti Aleksandër Vuçiç, gjatë një takimi me Kryeministrin e Malit të Zi është shprehur se Serbia do marrëdhënie të mira me fqinjët./tvklan.al

Të Fundit