Ministri i Infrastrukturë dhe Energjetikës Enea Karakaçi, gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e vendimeve të marra në mbledhjen e qeverisë, komentoi edhe anulimin e tenderit për ndërtimin e Porto Romanos.
Karakaçi u shpreh se ofertuesi i vetëm në këtë garë është tërhequr për arsye ekonomike dhe rritjes së kostove të ndërtimit për shkak të krizë së fundit botërore.
“Është bërë edhe publike, ka dalë në disa media, tërheqja e ofertuesit në këtë garë. Po, kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm, me një arsye krejtësisht ekonomike për shkak të rritjes së kostove dhe efekteve të krizës. Kontraktori ka bërë një tërheqje, gjë për të cilën komisioni do vijojë me procedurën. Dua të rikujtoj faktin se edhe kryeministri u shpreh disa ditë më parë mbi projektin, kur tha që ka aktorë që përpiqen ta frenojnë dhe ta sabotojnë”, u shpreh ministri Enea Karakaçi.
Ai shtoi se “do ndërtohet një skenar tjetër dhe projekti do të realizohet”, pasi është i “një rëndësie të veçantë infrastrukturore”.



