Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, ka deklaruar se “portat e ferrit janë hapur” në qytetin e Gazës, duke paralajmëruar një valë të re sulmesh intensive për të pushtuar zonën.
Në një postim në platformën X, Katz tha se ushtria izraelite do të godasë ndërtesat e larta në qytet.
Ai theksoi se Hamasi duhet të dorëzojë armët dhe të lirojë të gjithë pengjet, përndryshe do të “eliminohet”.
“Kur portat të hapen, ato nuk do të mbyllen më, dhe sulmet e ushtrisë izraelite do të intensifikohen”, deklaroi Katz, duke shtuar se ofensiva do të prekë një qytet ku ndodhen rreth një milion palestinezë.
Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, konfirmoi se operacionet ushtarake do të zgjerojnë fushëveprimin, duke përfshirë edhe sulme të dhunshme ndaj ndërtesave në qytet. Ai u bëri thirrje civilëve palestinezë që janë zhvendosur disa herë të largohen përsëri nga zona, duke e cilësuar Gazën si një zonë të rrezikshme konflikti.
Trupat izraelite vijojnë të zhvillojnë sulme intensive në lagjet Zeitoun dhe Sabra, të cilat më 29 gusht u shpallën “zonë lufte”.