Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka reaguar me tone të ashpra ndaj vendimit të disa vendeve europiane për të njohur shtetin e Palestinës.
Së fundmi, edhe Belgjika i është bashkuar listës së shteteve që kanë bërë këtë hap, duke ndjekur shembullin e Spanjës, Irlandës, Norvegjisë dhe Sllovenisë gjatë muajve të fundit.
“Vendet hipokrite europiane që i dorëzohen manipulimeve të Hamasit do ta mësojnë në kurriz të tyre se çfarë është terrorizmi”, tha Ben-Gvir, sipas portalit izraelit i24.
Ai shtoi se edhe në Izrael ka pasur njerëz që i kanë besuar “këto iluzione”, e për pasojë vendi është përballur me “dhunë, vrasje dhe masakra”.
Ministri izraelit u shpreh se, në vend që të “shpërblejë terrorizmin”, bota e lirë duhet të bashkohet për ta luftuar atë.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të lartë diplomatik, teksa gjithnjë e më shumë shtete europiane po i shtojnë presionin Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të pranuar zgjidhjen me dy shtete.
Qeveria izraelite, ka miratuar së fundmi një plan masiv ushtarak për të pushtuar Gazën, qytetin më të madh dhe “fortesën” e Hamasit. Aktualisht, Izraeli kontrollon rreth 75% të territoreve të Gazës.
Rreth 40 mijë deri në 60 mijë rezervistë janë thirrur për të përforcuar ofensivën, pavarësisht kundërshtimeve të eprorëve ushtarakë, që paralajmërojnë për rreziqe serioze.