Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, foli për situatën e zjarreve në vend gjatë një interviste për media, ku për herë të parë bëri me dije se Shqipëria ka përfunduar procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës.
Sipas tij fondet për avionët zjarrfikës janë alokuar, dhe aktualisht pritet prodhimi i tyre si dhe trajnimi i pilotëve.
Ministri Vengu e zbuloi këtë informacion pas ndërhyrjes së gazetarit Thimi Samarxhi, i cili vuri në dukje përpjekjet intensive të ushtarëve për të shuar flakët dhe pyeti nëse ministria mendon se ka ardhur koha që Shqipëria të ketë avionë të saj zjarrfikës, për të mbështetur më mirë ushtarët dhe për të lehtësuar punën e tyre.
“Përgjigja ime është se këtë vit janë angazhuar pesë helikopterë për fikjen e zjarreve, një numër i paprecedent deri më tani. Ky element do të përforcohet, pasi kemi alokuar fonde dhe kemi përfunduar procesin për blerjen e dy avionëve zjarrfikës. Buxheti është i siguruar dhe procedurat për blerjen e tyre janë realizuar. Prodhimi dhe ardhja e avionëve në vendin tonë kërkon kohë të arsyeshme, pasi duhet të prodhohen dhe të dislokohen. Ndërkohë, po trajnojmë pilotët, pasi që prej vitit 2007 Shqipëria nuk ka pasur pilotë avionësh. Pra, qeveria e ka parashikuar këtë dhe po investon për të pasur mjete ajrore shtesë, duke forcuar edhe flotën e helikopterëve,” tha ministri Pirro Vengu.
Ai shtoi se po rinovohet flota e mjeteve zjarrfikëse në të gjithë vendin, falë edhe themelimit të kompanisë shtetërore të prodhimit ushtarak, e cila do të ketë mundësi të prodhojë edhe mjete emergjence civile.
“Kjo do të ndihmojë në stabilizimin e situatës, si nga toka, ashtu edhe nga ajri”, tha ai.
Sa i përket situatës aktuale të zjarreve, ministri tha se aktualisht gjendja është e përmirësuar ndjeshëm, falë përpjekjeve intensive gjatë javës së fundit dhe reshjeve në orët e para të mëngjesit të së martës.
“Që nga data 20 korrik, është regjistruar një intensifikim i vatrave në të gjithë vendin. Forcat e armatosura, bashkë me strukturat vendore, kanë punuar intensivisht për të mbrojtur zonat e banuara, pronat, bizneset dhe infrastrukturën kritike. Sot, pas reshjeve të shiut, situata është përmirësuar ndjeshëm. Shiu ka ndihmuar në shuarjen e vatrave në zonat malore dhe pyjore, ku më parë kishte vështirësi për ndërhyrje. Aktualisht, mund të them se shumica e vatrave të zjarrit në territorin kombëtar janë shuar. Në këtë moment, kemi pesë vatra aktive zjarri në Shkodër, Gjirokastër, Kukës dhe vende të tjera, por ato aktualisht janë pa rrezik të menjëhershëm,” përfundoi ministri Vengu.