Igli Hasani mori besimin e kryeministrit të vendit Edi Rama për të drejtuar Ministrinë e Jashtme në Gusht 2023. Por karriera e tij diplomatike është e gjatë dhe me shumë suksese. Sonte në një intervistë për “Opinion”, ai flet për punën e tij ndër vite dhe po ashtu tregon ‘sfidat’ si ministër.
“Jam nëpunës civil që prej vitit 2001, kam punuar në Ministrinë e Mbrojtjes që nga 2001-i deri në fillim të vitit 2018. Më pas jam emëruar ambassador i Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare në Vienë, mbuloja OSBE-në dhe zyrat e OKB-së në Austri. Më pas u pranua Shqipëria që të drejtonte OSBE-në, fati dhe angazhimi im ka qenë se unë kam drejtuar ekipin e Shqipërisë në atë vit të vështirë. Këtu më është bërë oferta e parë nga OSBE-ja për të punuar në Sekretariat, ku kam punuar nga 2021-i deri në Gushtin e vitit të kaluar që mora detyrën e ministrit të Jashtme. Ky vit është shumë i rëndësishëm për hapjen e negociatave me BE-në. Duam të hapim edhe dy grup-kapituj për vitin 2025 dhe njëkohësisht të plotësojmë të gjitha angazhimet që kemi. 2024-a ka pasur angazhime të mëdha për atë që po bën Shqipëria në arenën ndërkombëtare, kemi organizuar dy samite si dhe kemi angazhime konkrete që janë pjesë e përditshme e punës tonë dhe aspak pjesë e retorikës politike”, tha ai.
Teksa e cilësoi prioritet procesin e negociatave me BE-në, Hasani u shpreh me bindje se Shqipëria do jetë pjesë zyrtare e familjes europiane në vitin 2030.
“Është mëse e qartë që Shqipëria do jetë anëtare e Bashkimit Evropian në 2030-ën. Absolutisht po! Me përfundimin e gjithë negociatës teknike, do vijojë angazhimi politik për të ratifikuar të gjithë këtë marrëdhënie në vendet anëtare të BE-së. Është konkrete, e qartë, e detajuar dhe e mirëpranuar si nga ne edhe nga BE”, përfundoi ministri.