Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka zhvilluar një takim me ofruesit e shërbimeve të Ndihmës Juridike Falas, Shërbimit të Provës dhe Përmbarimit Shtetëror për zonat Durrës, Kavajë dhe Krujë, ku janë diskutuar arritjet dhe sfidat e sektorit.
Gjatë takimit, ministri theksoi rëndësinë e rolit të këtyre shërbimeve në raport me qytetarët, duke nënvizuar përgjegjësinë e lartë që ata mbajnë në kontaktin e përditshëm me publikun.
“Dëgjova për sukseset, sfidat dhe synimet për këtë vit dhe këmbëngula se ata janë kontakti ynë i përditshëm me qytetarët, ndaj përgjegjshmëria duhet të jetë maksimale”, u shpreh Gogu.
Sipas tij, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe përmirësimi i aksesit në drejtësi mbeten prioritete kryesore të punës së ministrisë.
“Synimi ynë është i qartë: të rrisim aksesin e qytetarëve në drejtësi”, theksoi ministri Toni Gogu.



