SPAK ka vendosur të marrë në pyetje mjekun Artan Koni si një nga 12 personat që do të flasin për padinë e depozituar nga Nisma Thurje lidhur me kontratën koncensionare të sterilizimit.
Ende nuk është bërë me dije rreth dëshmisë së mjekut, por kujtojmë se Koni ka qenë një nga personazhet që ka denoncuar herë pas here koston e këtij koncesioni, duke propozuar që në vend të tij, të paguhej nga taksat e shtetit.
Ajo që e ka shtyrë mjekun të protestojë dhe të ngrejë zërin është një shkresë e Ministrisë të shëndetësisë drejtuar spitaleve kryesore të vendit, për ti kërkuar atyre që gjatë vitit të ardhshëm të bëjnë më pak operacione se gjatë vitit të shkuar.
Arsyeja: koncesionari i strelilizimit “Sani Service” po merr më shumë para sesa janë parashikuar. Sipas statistikave gjatë 2018 janë kryer rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale për të cilat shteti i ka kaluar koncesionarit 17 milionë euro, ose 3.6 milionë më shumë sesa parashikimi. Dhe nisur nga kjo ministria bën kërkesën absurde: në vend që të negociojë ulje çmimesh me privatin, i thotë mjekëve operoni më pak të sëmurë, sikur kjo të ishte një çështje dëshirash.
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka caktuar dy prokurorë të Njësisë Antikorrupsion që do të merren me padinë e depozituar nga Nisma Thurrje lidhur me kontratën koncensionare të sterilizimit.
SPAK pritet që nga java e ardhshme të marrë në pyetje personat që kanë përfituar nga kjo kontratë, ndërsa në pyetje me cilësinë e personave që kanë dijeni do të merren 12 persona, mes tyre edhe kallëzuesit.
Burimet bëjnë me dije se gjithashtu do të merren në pyetje ata që kanë firmosur kontratën PPP, si dhe përfaqësuesit e kompanisë private përfituese e këtij partneriteti.
Koncesioni për sterilizimin u nënshkrua nga Ministria e Shëndetësisë e përfaqësuar në atë kohë nga ish ministri Ilir Beqja dhe kompania kontraktuese “Sani Service”. Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare, dhe i ka kushtuar buxhetit të shtetit 5 milionë euro më shumë sesa buxheti i parashikuar për të paguar këtë shërbim.
Sipas kontratës së nënshkruar, objekt i saj, është sterilizimi i seteve të mjeteve kirurgjikale dhe për 10 vite do ti kushtonte shtetit shqiptar afro 100 milionë euro.
Më 23 dhjetor nisma “Thurje” depozitoi në SPAK kallëzimin e parë me anë të së cilit kërkoi hetimin e ish-zyrtarëve të lartë pasi sipas tyre padrejtësisht një shërbim publik me kosto të ulët i ishte kaluar një kompanie private duke harxhuar më shumë para nga buxheti i shtetit.
Kallëzimi i Nismës Thurje
“Ka elementë që nuk shkojnë në këtë kontratë. Ne i kemi kërkuar Prokurorisë së Posaçme që kur jemi përpara një vepre penale të bëjmë një kallëzim në Prokurori. Megjithatë ne i kërkojmë SPAK të hetojë që nga Beqja deri tek të gjithë zyrtarët e tjerë pasi ka arsye të mjaftueshme për të besuar që kanë abuzuar me buxhetin e shtetit. Në 30 vjet janë dënuar vetëm qytetarët shqiptarë.
Ne besojmë se institucionet e reja të drejtësisë do i japin fund pandëshkueshmërisë. Ne kemi evidentuar disa gjëra. Ne ngremë pyetjen pse është i nevojshëm ky koncesion. Ne ngremë pyetjen pse një çmim kaq i lartë. Dhe pse është dhënë me një koncesion 10-vjeçar që kalon edhe mandatin e qeverisë.
Një kontratë ka detyrime dhe përgjegjësi për të dy palët. KLSH thotë se në këtë kontratë ka penalitete vetëm për shtetin shqiptar. KLSH ka vlerësuar se në spitalin e Durrësit rreth 7 milion lekë kanë shkuar ekstra për këtë koncesion. KLSH ka bërë vlerësime të pjesshme. Ne besojmë që SPAK i ka kapacitetet ligjorë për të mos na zhgënjyer.
Mjafton të shohë këtë dokument që ne kemi dorëzuar për të ngritur dyshime. Ne nuk kemi ndërmend të presim që këta zyrtarë të korruptuar të dorëzohen vetëm. Kemi 30 vjet që shohim se si arrestohet qytetarët ndërsa pushtetarët vetëm pasurohen. Ka dyshime për një dëm të konsiderueshëm. Gjëja më e rëndësishme janë kostot. Ajo që kemi parë është një kërkesë nga ana e institucioneve për t’i thënë mjekëve mos bëni më operacione”, kanë deklaruar përfaqësues të Nismës Thurje.