469 vjet më parë nisi rrugën e vet fjala e shkruar shqip.
Autori i veprës letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot ishte Dom Gjon Buzuku i biri i Bdek Buzukut, i cili nga dashuria për atdheun e tij, me anën e kësaj vepre, deshi me sa mundte, të afronte sado pak ata që do ta dëgjonin.
Ai e nisi këtë libër me 20 mars 1554, dhe e mbaroi me 5 të shkurtit 1555, pa dalë qartë për ne, nëse ishte kjo koha e hartimit apo e shtypit apo u kryen këto dy punë paralelisht.
“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për smujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë…
“Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor, shkruan Gjon Buzuku në Meshar.
Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.
Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin.