‘Mesazhe me një vajzë’, humb jetën në spital 42-vjeçari që u dhunua barbarisht në Tiranë

Bisedat me një vajzë në rrjetet sociale i kushtuan jetën 42-vjeçarit Rigels Kaso. Prej mëngjesit të 15 Korrikut ai ndodhej në Spitalin e Traumës në Tiranë, aty ku pasditen e kësaj të premteje dha frymën e fundit.

Lajmi konfirmohet nga gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.

42-vjeçari nga Bilishti nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të rënda që dyshohet se iu shkaktuan nga Bajram Gjeleshi. Ky u fundit, 34 vjeç, u identifikua nga policia një ditë pas ngjarjes dhe u shpall në kërkim.

Shkak për dhunën barbare, sipas gazetarit Bajraktaraj, dyshohet se u bënë komunikimet që viktima kishte pasur me bashkëjetuesen e autorit të dyshuar, në rrjetet sociale.

Gjeleshi e dhunoi Kason në derën e një pallati në zonën e Kombinatit, ku dhe u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Fqinjët e përshkruanin 42-vjeçarin ‘një djalë të shkëlqyer e të sjellshëm’. Ai jetonte i vetëm në Bilisht dhe punonte si specialist elektrik, kryesisht me riparime televizorësh dhe kamerash sigurie.

Teksa vijon të mbetet në arrati, Bajram Gjeleshi do të duhet të përballet tashmë me një akuzë më të rëndë sesa ajo e plagosjes së rëndë me dashje.

Të Fundit