Teksa ka dyshime se mes të prekurve nga COVID-19 janë dhe dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ligjvënësja e PS-së Klodiana Spahiu deklaroi se nuk ka dijeni për këtë fakt.
Në një lidhje telefonike për ‘News24’ Spahiu tha se ky është një moment kritik dhe se kjo pandemi mund të prekë të gjithë. Mes të tjerash ajo theksoi se nëse është e vërtetë që dy kolegë të saj janë prekur, i uron shërim sa më të shpejtë.
“Absolutisht nuk është turp. Kjo është situatë që mund të prekemi të gjithë. Ndaj është pandemi dhe duhet të mundohemi të respetojmë disa rregullat dhe t’i nënshtrohemi vetë izoloimit. Ky është moment kritik, ndaj duhet të përballemi sa më mirë. S’kam informacion për kolegë të prekur nga COVID. Nëse ka, i uroj shërim të shpejt. Uroj të kemi sa më pak të sëmurë që shkojnë drejt spitalit dhe sa më pak humbje njerëzore. I bëj thirrje shqiptarëve që të tregohen solidarë me njëri-tjetrin.”, tha Spahiu.