Menuja e Aristotelit: Hani si një filozof i lashtë grek

Sipas Aristotelit, bota bazohej në katër elementë: toka, zjarri, uji, ajri, por kishte dhe një element të pestë…

Një element – që ai e quajti ‘eter’ – i cili përfaqësonte të palindurin, të pavarurin e të përhershmin, forcën hyjnore ose vetë Zotin.

Duke u bazuar në këto karakteristika, profesori i kuzhinës Giorgos Palisidis ka krijuar atë që ai e quan “Menuja Aristoteliane”, bazuar në ushqime dhe përbërës nga Greqia veriore, vendlindja e filozofit të madh.

Recetat që Palisidis krijon në ditët e sotme bazohen edhe në gjetjet arkeologjike që na kanë ndihmuar të kuptojmë përbërësit që grekët e lashtë përdornin në kuzhinat e tyre.

Menuja e Aristotelit

Në nisje të këtij projekti kaq interesant, profesori i kuzhinës synonte të sillte në tryezën moderne, ‘dietën e të parëve’.

Gjatë 3 viteve të fundit, dhjetë hotele dhe shtatë restorante në zonën piktoreske të Khalkidikisë kanë nisur të shërbejnë menynë Aristoteliane.

“Në katër elementët e teorisë – toka, uji, zjarri dhe ajri, Aristoteli shtoi eterin, elementin e pestë, për të përshkruar të palindurin, të pathyeshmin, të pandryshueshmin, atë që kombinon të gjitha në një substancë,” tha Palisidis.

“Në të njëjtën kohë, referencat e filozofit të madh grek për 4 shijet bazë: të kripur, të thartë, të ëmbël dhe të hidhur u shoqëruan me rekomandime për kombinimin e të paktën 2 prej tyre në të njëjtën kohë, duke synuar kulmin e shijes, një përvojë eksplozive”, shtoi ai.

“Kjo përvojë u përcaktua më vonë nga japonezët me fjalën ‘umami’ për të përshkruar një shije të pestë dhe një intensitet shijeje të ngjashëm me atë që gjendet në ushqime si viçi, shafrani, e verdha e vezës, kardamoni, mishi i qengjit, kërpudha dhe tartufi”, shtoi Palisidis.

Profesori tha se ideja origjinale për Menunë Aristoteliane i erdhi në vitin 2016.

Theksi në dietën e re iu kushtua elementit të pestë, eterit.

Në bashkëpunim me Shoqatën e Hoteleve në Kalkidki-së, pjesëmarrësit e parë u ftuan të shijonin katër elementët e natyrës: zjarrin, përmes gastronomisë lokale; ajrin, përmes vizitave në vende me pamje magjepsëse; ujin, përmes ushqimeve të detit; dhe tokën, përmes verës, tsipouris dhe vajit të ullirit.

Pesë elementët dhe sekreti i dietës së filozofit të lashtë grek

Hapi tjetër ishte zbulimi i elementit të pestë, misterit që çdo vizitor ftohet të zbulojë nga vizita e tij në Stageira-n antike, vendlindjen e filozofit të madh, Aristotelit.

Palisidis prezantoi një menu model për të zbatuar filozofinë e Aristotelit në përvojën e ngrënies. Qëllimi ishte të provokonte një eksperiencë duke shijuar gatime dhe produkte nga vendi ku lindi filozofi i madh.

Mbi këto baza, tavolina e darkës së parë përmbante pesë kavanoza balte në vend të pjatave pasi grekët e lashtë gatuanin në enë balte.

Secili prej elementeve të natyrës, siç përshkruhet nga Aristoteli, përfaqësohej nga përbërësit bazë.

Për shembull, ajri përfaqësohej nga një zog; toka me verën dhe vajin e ullirit të prodhuar nga vreshti; uji nga frutat e detit; zjarri me elementin që gatuan frutat e detit; dhe eteri me një shije ‘umami’ që rezulton nga frutat e thata dhe domatet e thara në diell, mjalti, barishtet, vera dhe uthulla e ëmbël balsamike.

Fantazia, duke u bazuar në këta pesë elementë dhe ushqimet e shumta të Mesdheut magjepsës, mund ta shtyjnë këdo të bëjë kombinime marramendëse të cilat i përshtaten këtyre elementëve në tryezat e tyre të ardhshme.

“Menyja Aristoteliane është një propozim ideal ushqimor për këdo pasi kombinon karakteristikat e dietës mesdhetare – ushqime të pasura me fibra, probiotikë, anti-oksidantë dhe ushqimet e konsumuara të gjalla si frutat apo ullinjtë”, shprehet Palisidis.

Mos harroni… ajri, uji, toka, zjarri dhe…eteri.

Tani lëreni imagjinatën tuaj të lundrojë e lirë!

Të Fundit