Meghan Markle: Nuk mund të isha vetvetja në Mbretërinë e Bashkuar

Meghan Markle ka bërë një tjetër koment thumbues ndaj familjes mbretërore, duke deklaruar se “nuk mund të ishte vetvetja në Mbretërinë e Bashkuar”. Në një intervistë për Bloomberg Originals, Dukesha e Sussex-it, foli hapur për periudhën kur ndjehej “jo autentike”.

Nëna e dy fëmijëve, e cila jeton në një vilë luksoze prej 12 milionë paundësh në Montecito dhe mbrëmjeve mëson frëngjisht në Duolingo, u pyet nëse e ka të vështirë të duket “e afërt” me publikun.

“Nuk e kam të vështirë, unë thjesht jam vetvetja,” u përgjigj Meghan.

“Besoj se ishte ndryshe disa vite më parë, kur nuk mund të isha kaq e zëshme dhe më duhej të vishja gjithmonë çorape ngjyrë lëkure. Të jem e sinqertë, kjo nuk është aspak në stilin tim. Nuk kisha parë çorape të tilla që nga filmat e viteve ’80, kur vinin në ato vezët e vogla plastike.”

“E di që është një shembull i thjeshtë, por është tregues i asaj që do të thotë të ndihesh rehat me veten, të vishesh siç dëshiron, të thuash të vërtetën dhe të shfaqesh në hapësira ku mund të jesh vërtet autentike.”

Meghan shtoi se tani nuk ndjen më nevojën për të provuar asgjë ndaj askujt.

“Mendoj se karakteri ynë, ajo çfarë jemi në thelb, nuk ndryshon. Por sjelljet, zakonet dhe rolet që marrim në jetë mund të nxjerrin në pah më të mirën ose më të keqen tek njerëzit. Unë jam thjesht vetja.”

Të Fundit