Është zhvilluar ditën e martë në kryeministri ceremonia e dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama vlerësoi nxënësit për përkushtimin dhe për arritjen e rezultateve të shkëlqyera. Rama u shpreh se ndihet me fat që ka brenda katër muresh në Kryeministri ajkën e vendit. Sakaq, ai i cilësoi nxënësit ekselentë si heronj, të cilët nuk janë dorëzuar kurrë për t’ia arritur qëllimit.
“Kemi 185 medalje për të ndarë dhe është një nder i veçantë të jem në këtë ceremoni. E kujtoj gjithmonë kohën kur kam qenë sa ju, dhe ku gjendesha nën bombardimin e prindërve flisja me vete dhe i thosha betohu që kurrë nuk do ta harrosh që kur të bëhesh sa këta nuk do të bësh si këta. Dhe nuk do japësh këshilla të pakërkuara. Nuk është e lehtë që në një kohë të tillë të jesh heroi pozitiv. Sot ju jeni këtu si shembëlltyra e suksesit të një rruge të gjatë. Ju sot këtu nuk jeni vetëm këtu se keni bërë një provim. Po keni kaluar shumë rrugë për t’u ngjitur në majë. Për këtë arsye ju jeni heronj për mua. Në 365 ditë mua më duket e vetmja e herë që jam më i shkurtër se ju, besojeni këtë”, tha Rama.