Tirana është tronditur mbrëmë nga një krim i rëndë. Një efektiv policie ka qëlluar plot 6 herë në drejtim të kolegut të tij, dhe për pasojë ky i fundit ndërroi jetë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në ambientet e komisariatit nr.3 në Rrugën Mine Peza në Tiranë.
Ludian Zaimi, qëlloi për vdekje kolegun e tij Çaush Saliasi, ndërkohë që gjithçka duket se ka pasur si zanafillë një sherr të momentit, që çoi në përgjakjen e komisaratiit.
Raportohet për media se Zaimi, fill pasi plagosi kolegun, qëndroi në komisariat, ndërsa tashmë është ndaluar nga efektivët e policisë. Burime nga grupi hetimor bëjne me dije se pas krimit efektivi 25-vjeçar ka thënë se e qëlloi kolegun e tij pasi ky i fundit e tallte prej kohësh.
Ndonëse efektivit veteran, që kishte 20 vite në polici, iu dha ndihma e parë, ai nuk mundi të mbijetonte, duke ndërruar jetë në spital.
Efektivi i arrestuar tashmë, Ludian Zaimi kishte vetëm një vit e gjysmë që shërbente në radhët e efektivëve blu.
Pas ngjarjes reagoi edhe Policia e Shtetit, e cila bëri të ditur për mediat se “Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media”.
Pas ngjarjes në komisariatin nr. 3 në Tiranë ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i cili është njohur nga afër prej vartësve të tij për rrethanat se si ka ndodhur krimi.